Policia ka zbardhur dëshminë e parë të Ragip Gilës, 30-vjeçarit të arrestuar si autor i dyshuar i masakrës së ndodhur këtë mëngjes në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso (Brajoviç) dhe kamarierja Meri Kaceri.

Në rrëfimin e tij para uniformave blu, Gila ka deklaruar se shënjestra e vetme e tij ishte Erogen Vaso, me të cilin thotë se kishte një konflikt personal.

“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me Erogenin dhe doja të qëlloja vetëm atë”, – është shprehur ai para hetuesve.

Ngjarja

Masakra ndodhi rreth orës së paradites, në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës. I armatosur me dy armë zjarri dhe i pajisur me jelek antiplumb, autori hapi zjarr ndaj klientëve, duke shkaktuar dy viktima dhe dy të plagosur.

Pas krimit, ai u largua me motor, më pas grabiti një makinë tip “BMW” nën kërcënimin e armës. Në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, u përplas në dalje të qytetit dhe tentoi të kalonte lumin Kir me këmbë. Nga rënia pësoi dëmtime në këmbë dhe u kap nga policia, pasi kishte hedhur armën dhe ishte dorëzuar.

Hetimet

Policia po e trajton me rezerva dëshminë e Gilës dhe po verifikon pistën e përfshirjes së personave të tjerë që mund ta kenë porositur për vrasjen e Erogen Vasos, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

E kaluara e autorit

Ragip Gila nuk është i panjohur për drejtësinë. Ai u arrestua në dhjetor 2023 me një arsenal armësh, municione, maska dhe drogë, ndërsa dyshohej se furnizonte grupe kriminale. Fillimisht u dënua me 5 vite burg, por në mars të këtij viti gjykata vendosi ta lironte pas 13 muajsh paraburgim, duke e vendosur në shërbim prove për pesë vite.

Vetëm gjashtë muaj pas lirimit, 30-vjeçari kreu masakrën që tronditi qytetin e Shkodrës.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe politik, ku shumëkush e konsideron lirimin e Gilës nga burgu si një dështim të drejtësisë dhe një sinjal alarmant për sigurinë publike në vend.

Policia e Shkodrës ka rritur masat e sigurisë dhe vijon hetimet për të zbardhur nëse pas atentatit fshihet një konflikt personal apo një porosi nga grupe kriminale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *