Në prag të përballjes vendimtare ndaj Letonisë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, e ka cilësuar këtë ndeshje në “Air Albania” si një nga më të rëndësishmet në rrugëtimin drejt Botërorit 2026.
“Është një sfidë vendimtare, vetëm fitorja vlen. Kur ke gjithçka në dorën tënde, është një moment pozitiv dhe nuk jemi nën presion. Pavarësisht se nuk kemi gjithmonë luksin të zgjedhim lojtarë që luajnë rregullisht, kjo nuk më shqetëson. Letonia është një ekip fizik dhe i fortë në goditjet standarde, ndaj kemi punuar fort. Jemi përgatitur për nesër dhe e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por vendimtare për ne,” – u shpreh braziliani.
Shqipëria kërkon tri pikë të arta për të forcuar pozitat në grup dhe për të mbajtur të gjallë ëndrrën e Botërorit. Atmosfera në kampin kuqezi shihet optimiste, ndërsa “Air Albania” pritet të jetë i mbushur plot për të shtyrë skuadrën drejt suksesit.