Prej katër vitesh, fëmijët e fshatit Donofrosë në bashkinë Dimal janë detyruar të zhvillojnë mësimet në një lokal privat të marrë me qira nga bashkia, për shkak të mbylljes së shkollës 9-vjeçare të zonës. Zyrtarisht, arsyeja e mbylljes ishte një plasaritje në mur që e bënte godinën të pasigurt, por banorët thonë se kjo ishte një justifikim i sajuar, për të kënaqur dëshirën e një personi të vetëm.
Ndërkohë, godina e shkollës që dikur frekuentohej nga qindra nxënës, sot është lënë në harresë, ndërsa oborri i saj përdoret për kullotjen e deleve.
Në ambientet e lokalit ku zhvillohet mësimi aktualisht, vetëm 53 nxënës ndahen në 6 klasa të ndara mes tyre me perde. Fëmijët ankohen se zhurmat, mungesa e hapësirës dhe kushtet e papërshtatshme ua bëjnë të pamundur ndjekjen normale të mësimit.
“Kushtet janë të tmerrshme, dëgjojmë klasat e tjera, nuk arrijmë të përqendrohemi dhe shpesh kemi hasur edhe gjarpërinj brenda,” tregojnë disa prej nxënësve.
Problemet nuk kufizohen vetëm te shkolla, pasi edhe kopshti i fshatit është zhvendosur në një shtëpi të marrë me qira, ku rreth 20 fëmijë qëndrojnë në kushte minimale.
Kryeplaku i Donofrosës, Shaban Metohu, mohon kategorikisht se shkolla ka qenë e rrezikshme nga tërmeti. Sipas tij, dëmtimet kanë qenë sipërfaqësore dhe të pranishme që në vitet ’80.
“Shkolla është mbyllur kot, vetëm për tekat e një personi. Ajo godinë ka themele të forta dhe kërkon vetëm riparime të vogla,” – u shpreh ai.
Banorët e fshatit e konsiderojnë vendimin e autoriteteve një padrejtësi dhe kërkojnë që shkolla të rihapet sa më parë. Dikur aty mësonin rreth 600 nxënës nga disa fshatra përreth, ndërsa sot shumë familje detyrohen t’i çojnë fëmijët në shkolla private në Rroskovec.