Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur ashpër për aferën e kompanisë Bankers Petroleum me naftën e Patos-Marinzës, duke e cilësuar atë si “vjedhjen më të madhe dhe më të gjatë në kohë” në historinë e tranzicionit shqiptar.
Sipas tij, kjo aferë 21-vjeçare ka kaluar pothuajse në heshtje publike, pasi mediat janë paguar nëpërmjet reklamave për të mos e trajtuar. Qori ngriti pyetje të drejtpërdrejta se përse nuk ka nisur ende një hetim nga SPAK për këtë çështje që përfshin tre qeveri – atë të Fatos Nanos, Sali Berishës dhe Edi Ramës.
“Nuk besoj se ka vjedhje më të gjatë në kohë, më të madhe në masë dhe më pak të diskutuar sesa Bankers. Është një problem i gjerë dhe i thellë. Përtej mos pagimit të taksave, që është skandaloze dhe revoltuese, kemi fryrjen e faturave përmes firmave të drejtuara nga ish-deputetë, ish-drejtorë, që kanë shërbyer për të fshehur fitimet e vërteta”, – deklaroi Qori.
Ai kujtoi gjithashtu faktin që vendi ka pasur një rafineri në Ballsh, ku naftëtarët janë detyruar të protestojnë për vite me radhë për rrogat dhe të ardhmen e tyre, ndërsa pasuritë e vendit janë shfrytëzuar në mënyrë të dyshimtë.
“Kjo është afera më e madhe e vjedhjes, më e zgjatur në kohë dhe më pak e hetuar apo diskutuar. Duhet të prisnim vitin 2025 që të kemi minimumin e informacionit zyrtar se çfarë po ndodh. Pse nuk heton SPAK? Që nga ish-kryeministrat, kryeministri aktual, ish-ministrat e me radhë. Ajo që nuhasim, që vidhet shumë, duhet ta kuptojmë në mënyrë të dokumentuar dhe ata që kanë shpërdoruar të vihen para përgjegjësisë ligjore”, – u shpreh ai.
Qori e përmbylli me thirrjen që kjo çështje të mos mbetet më e heshtur, por të hetohet në mënyrë transparente, duke e cilësuar si një nga plagët më të mëdha të tranzicionit shqiptar.