Aksioni i Inspektoratit të Ndërtimit dhe forcave të rendit për prishjen e bujtinave në Valbonë ka vijuar edhe sot. Objektet e ndërtuara nga banorët vendas, kryesisht godina druri të përdorura për turizëm, po rrëzohen njëra pas tjetrës. Mes tyre, një bujtinë tre-dhomëshe e një çifti të moshuar, të cilët, mes lotësh, lëshuan akuza të forta ndaj qeverisë.

“As serbi nuk na e bënte këtë! Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë. Është mëkat i madh, shqiptari shqiptarit nuk duhet t’ia bëjë këtë! Ky është turp,” u shpreh burri i moshuar, i dëshpëruar teksa shihte banesën e tij të shënohej për shembje.

Ai tha se ndërtimi i bujtinës ishte bërë me para të marra borxh dhe se fëmijët e tij jetojnë jashtë vendit. “Kjo ishte e vetmja mundësi për të mbajtur veten gjallë. Kur e ngritëm shtëpinë, erdhi policia dhe na tha ‘u bëftë me hajër’. Sot na e shembin gjithçka. Do ishte më mirë të na kishin pushkatuar,” deklaroi ai.

Edhe bashkëshortja e tij, me lot në sy, shtoi: “Këto shtëpi pa na vrarë nuk prishen. I bëmë me baltë, me lagështirë, vetëm për një kafshatë buke. Vetëm këtë vit i ngritëm, dhe ja ku jemi sot… pa asnjë mëshirë.”

Çifti kërkon që qeveria të ndalë prishjen e bujtinave të thjeshta, që sipas tyre janë një burim i domosdoshëm jetese dhe kontribuojnë në turizëm.

“30 vite ia kam dhënë votën Ramës, e sot më shkatërroi. Nuk e besoja kurrë se do më vinte nga shqiptarët e mi. Kërkojmë vetëm të mos na i prishin, është gjynah i madh,” thanë ata.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *