Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim një mësues, i cili akuzohet për ngacmim seksual ndaj nxënëseve të mitura.
Hetimet, të nisura pas denoncimeve të vajzave dhe prindërve të tyre, zbuluan se ngjarja kishte ndodhur në fund të vitit 2024, kur mësuesi u kishte dërguar atyre mesazhe me përmbajtje të papërshtatshme përmes aplikacionit WhatsApp.
Sipas dosjes hetimore, vajzat kanë deklaruar se komunikimet e mësuesit kishin natyrë ngacmuese dhe përfshinin kërkesa që cenonin dinjitetin e tyre. Ekspertizat psikologjike kanë treguar se rasti ka shkaktuar tek ato gjendje të rëndë ankthi dhe stres.
Prokuroria bën me dije se gjatë hetimeve janë administruar prova të shumta, përfshirë kontrollin e telefonave celularë, ekspertizat teknike të bisedave, si dhe dëshmitë e vajzave të dhëna në prani të psikologëve.
Në përfundim, organi i akuzës thekson se rasti plotëson të gjitha elementët e veprës penale të “Ngacmimit seksual ndaj fëmijëve”, të parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal, duke e cilësuar atë si një krim me rrezikshmëri të lartë shoqërore.