Pas pothuajse gjashtë vitesh nga zjarri shkatërrues i vitit 2019, katedralja Notre-Dame e Parisit rikthen një tjetër pjesë të saj për publikun. Sot, presidenti francez Emmanuel Makron inauguroi zyrtarisht rihapjen e kullave veriore dhe jugore të këtij monumenti simbolik, duke u ngjitur vetë deri në kambanore.
Katedralja u shpall e rindërtuar në fund të vitit të kaluar, më 7 dhjetor 2024, kur u mbajt ceremonia e shugurimit në prani të 1,500 të ftuarve nga e gjithë bota, mes tyre personalitete si Zonja e Parë e SHBA-së Xhill Bajden, ish-presidenti amerikan Donald Tramp, princi Uilliam, Ilon Mask, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni.
E ndërtuar rreth vitit 1260, Notre-Dame ka qenë një nga veprat më të rëndësishme të arkitekturës gotike evropiane, duke pritur tradicionalisht mbi 13 milionë vizitorë në vit – më shumë se Kulla Eifel apo Muzeu i Luvrit.
Procesi i rindërtimit ishte një ndërmarrje gjigante: 1,200 pemë lisi nga pyje të ndryshme të Francës u prenë për të zëvendësuar skeletin e çatisë së djegur, ndërsa mbi 1,000 punëtorë punuan çdo ditë për ta rikthyer në jetë këtë kryevepër të historisë franceze dhe botërore.