Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot, në mënyrë unanime, propozimin për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Vendimi, i cili ka karakter propozues, u mbështet nga të dyja krahët e politikës, me votat e përbashkëta të këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Sipas procedurës ligjore, pas votimit, dokumenti i dërgohet Prefektit të qarkut, i cili më pas ia përcjell Këshillit të Ministrave. Është qeveria ajo që do të ketë fjalën e fundit, duke certifikuar ose jo shkarkimin e Veliajt.

Veliaj mungon në mbledhje

Në mbledhjen e sotme nuk ishte i pranishëm vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, ndonëse më herët kishte kërkuar të dëgjohej nga këshilltarët. Në votim nuk morën pjesë disa prej anëtarëve të Këshillit: Fabjan Topollaj, Alfred Muharremi dhe Aldo Merkoçi abstenuan, ndërsa Gaz Paja dhe Joleza Koka munguan. Dy këshilltarë socialistë u larguan nga salla përpara votimit.

Shabani: “Nuk është ditë triumfi, por një mësim”

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, gjatë fjalës së tij theksoi se ky moment nuk duhet parë si ditë festimi, por si një vendim që vë në plan të parë interesin e qytetarëve.

“Ne kemi dorëzuar kërkesën për shkarkimin e Veliajt që më 26 shkurt, por ajo u injorua për muaj me radhë. Sot nuk e shoh si triumf politik, por si akt moral. Kryetari i Bashkisë duhej të kishte dhënë dorëheqjen qysh kur nisi procesi gjyqësor dhe vendimet e Kushtetueses. Ai e ka humbur moralin për të drejtuar qytetin,” tha Shabani.

Ai shtoi se qytetarëve u janë humbur shtatë muaj kohë, por megjithatë ky vendim, edhe pse i vonuar, tregon se “herët ose vonë, ajo që është e drejtë do të ndodhë”.

PS dhe PD në një front të përbashkët

Ky vendim shënon një moment të pazakontë bashkëpunimi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat bashkuan votat për largimin e Veliajt.

Në vijim, Prefekti i qarkut pritet ta përcjellë propozimin në Këshillin e Ministrave. Qeveria “Rama 4” do të ketë përgjegjësinë e vendimit përfundimtar, duke përcaktuar nëse Erion Veliaj do të shkarkohet apo do të vijojë mandatin e tij si kryebashkiak i Tiranës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *