Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se së fundmi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve mbi pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se kanë ardhur nga territori i Serbisë.
Sipas tij, Policia është në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po monitoron situatën.
“Kohëve të fundit kemi vërejtur fluturime të dronëve, që dyshojmë se po vijnë nga territori i Serbisë në veri të Kosovës. Policia është në kontakt të ngushtë me KFOR-in dhe po bëjmë monitorimin për të parë çfarë veprimesh mund të ndërmerren”, tha Hoxha pas ceremonisë së asgjësimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale, që Policia zhvilloi të premten.
Ai shtoi se, megjithëse ekziston rrezik për zonën kufitare, qytetarët nuk janë të kërcënuar, pasi janë nën mbrojtjen e institucioneve.
“Është e rrezikshme për vijën kufitare, por jo për qytetarët tanë. Ata janë të mbrojtur. Ndërkohë, hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it”, tha Hoxha për Ekonomia Online.
Drejtori i Policisë bëri të ditur gjithashtu se për situatën janë njoftuar institucionet ndërkombëtare dhe se përgjegjësia kryesore i takon KFOR-it.
“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. Hapësira ajrore është kompetencë e tyre dhe ata janë duke punuar në këtë drejtim”, theksoi Hoxha.
Dy ditë më parë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së se dronët nga Serbia kanë shkelur hapësirën ajrore të Kosovës.