Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka lënë sot qelinë pasi përfundoi 11 ditët e mbetura nga dënimi i tij. Pas vendimit të Apelit për ta rikthyer në qeli, Dako qëndroi fillimisht në Spitalin Rajonal të Durrësit për shkak të problemeve shëndetësore dhe më pas u transferua në burg deri në përfundim të dënimit.

Gjykata e Posaçme e dënoi Dakon me 2.8 vite burg për “shpërdorim detyre” në dy raste, ndërsa Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 4 vite burgim. Shkurtimi i dënimit erdhi si rezultat i gjykimit të shkurtuar. Për të njëjtën çështje, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Ardian Bulku u dënuan me nga 2 vite burg secili, por dënimet e tyre u konvertuan në shërbim prove.

Një nga akuzat ndaj Dakos lidhet me ndërtimin e një pallati në Durrës që u shemb gjatë tërmetit të nëntorit 2019, ndërsa rasti tjetër me një tender për shëtitoren e qytetit në vitet 2014–2015, që i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, por u la i lirë në shkurt të këtij viti pasi hetimet nuk përfunduan brenda afateve ligjore.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *