Një tjetër talent me origjinë shqiptare që po shkëlqen jashtë vendit. Bëhet fjalë për sulmuesin 18-vjeçar, Berat Lush, i lindur në Stamboll me rrënjë nga Gostivari, i cili mbrëmjen e së mërkurës mahniti Turqinë me katër gola të shënuar në fitoren 5-0 të Erokspor ndaj Istanbulsporit.
Paraqitja e tij spektakolare ka bërë që mediat turke ta cilësojnë si “yllin e ri të futbollit turk”, ndërsa FSHF-ja nuk ka humbur kohë. Sipas burimeve nga “Panorama Sport”, Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka nisur menjëherë bisedimet me babanë e futbollistit për ta bindur që të zgjedhë fanellën kuqezi në të ardhmen.
Profil i një talenti
- Emri: Berat Lush
- Mosha: 18 vjeç
- Pozicioni: Sulmues i majtë
- Klubi: Erokspor (Turqi)
- Statistikat: 5 gola në 7 javë kampionat
Lushi konsiderohet si një profil ideal për repartin ofensiv të Shqipërisë, ku prej kohësh është ndjerë mungesa e një lojtari në krahun e majtë. Në shumë ndeshje, trajneri Silvinjo ka qenë i detyruar të improvizojë me Nedim Bajramin, i cili aktualisht nuk po kalon një moment të mirë në klub.
Edhe pse deri më tani ka luajtur me ekipet e moshave të Turqisë, Lushi nuk e ka fshehur asnjëherë prejardhjen e tij shqiptare. Në profilin e tij në Instagram, ai mban krah për krah flamurin turk dhe atë shqiptar, ndërsa shpesh postimet i shoqëron me këngë në gjuhën shqipe.