Pavarësisht se nuk siguroi shumicën e votave në Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi është shpallur zyrtarisht anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese, duke zëvendësuar Holta Zaçajn.
Nga të dhënat zyrtare të bëra publike pas procesit të votimit rezulton se:
- Naureda Llagami mori 8 vota,
- Asim Vokshi fitoi 6 vota,
- Florian Ballhysa nuk mori asnjë votë,
- ndërsa një fletë u shpall e pavlefshme.
Megjithatë, asnjëri prej kandidatëve nuk arriti pragun ligjor të 3/5 e votave, çka aktivizoi nenin përkatës të ligjit që përcakton se në këto raste fitues shpallet kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për këtë arsye, Vokshi u konfirmua si fitues, pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë në pikë nga KED gjatë fazës së seleksionimit.
Ky vendim tashmë i komunikohet Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa publikimi zyrtar pritet të bëhet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.