FIFA ka marrë vendimin zyrtar për ndeshjen Serbi–Shqipëri, e planifikuar të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit. Sipas Komisionit Disiplinor, takimi do të luhet me praninë e publikut, por me kufizime të konsiderueshme. Nga kapaciteti total prej 8,136 vendesh, vetëm rreth 6,500 do të lejohen të mbushen me tifozë.

Vendimi vjen si pasojë e sjelljeve të rënda dhe thirrjeve raciste të tifozëve serbë në duelin e fundit kundër Anglisë, ku u regjistruan incidente si i përdorimi i lazerëve dhe ndërprerje gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare shoqëruar me gjeste fyese.

Përveç reduktimit të kapacitetit, Federata Serbe e Futbollit është gjobitur edhe financiarisht. Në ndeshjen kundër Anglisë, e luajtur në Beograd përpara 40 mijë tifozëve, u raportuan thirrje urrejtjeje ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, fishkëllima ndaj himnit anglez, si dhe përleshje mes grupeve huligane të lidhura me pushtetin.

Duke marrë parasysh rrezikun e përsëritjes së incidenteve, FIFA ka paralajmëruar se çdo shkelje në sfidën ndaj Shqipërisë mund të sjellë ndëshkime shumë më të rënda. Për këtë arsye është zgjedhur që ndeshja të mos zhvillohet në Beograd, por në një stadium më të vogël dhe më të kontrollueshëm.

Federata e Futbollit të Serbisë është e detyruar t’i dërgojë FIFA-s deri 10 ditë para ndeshjes një plan të detajuar për ulëset e stadiumit, duke rezervuar një pjesë të vendeve për grupe të veçanta si familje, studentë dhe organizata kundër diskriminimit. Po ashtu, kërkohet organizimi i aktiviteteve të dukshme me mesazhe antidiskriminuese, përmes pankartave apo veshjeve me slogane përkatëse.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *