Një incident i pazakontë ka ndodhur në Gjermani mbrëmjen e së enjtes, kur prania e disa dronëve të paidentifikuar mbi zonën e Aeroportit Ndërkombëtar të Mynihut detyroi autoritetet të ndërprisnin trafikun ajror për orë të tëra.
Rreth orës 21:30, dëshmitarë të shumtë raportuan për objekte fluturuese të vogla në afërsi të pistave. Pas kontrolleve të para, dronët u shfaqën sërish rreth një orë më vonë, këtë herë drejtpërdrejt mbi aeroport, fakt që u konfirmua për mediat nga zëdhënësi i policisë, Stefan Bayer.
Për arsye sigurie, menaxhmenti i aeroportit vendosi pezullimin e plotë të operacioneve që nga ora 22:30 (23:30 sipas orës lokale shqiptare). Asnjë avion nuk u lejua të ngrihej apo të ulej deri në orët e para të mëngjesit.
Sipas të dhënave paraprake, 17 fluturime u anuluan dhe rreth 3,000 pasagjerë u prekën nga ky bllokim. Një tjetër grup prej 15 avionësh me destinacion Mynihun u devijua drejt aeroporteve të tjera në Stuttgart, Nuremberg, Frankfurt dhe Vjenë.
Aeroporti i Mynihut, i cili edhe në kushte normale ka kufizime të fluturimeve pas orës 22:00 për shkak të ndotjes akustike, nuk operon zakonisht pas mesnatës, çka e zgjati më tej situatën e bllokimit.
Sipas një dëshmitari të cituar nga Reuters, operacionet pritet të rifillojnë gradualisht në mëngjes, ndërsa autoritetet ende po hetojnë origjinën dhe qëllimin e këtij fluturimi të dyshimtë me dronë.