Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) është rikthyer sot në Theth, ku ka nisur fazën e dytë të operacionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Që prej orëve të para të mëngjesit, fadromat dhe dhjetëra efektivë të policisë janë angazhuar në zbatimin e planit të ndërhyrjes, që parashikon shembjen e 35 objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin, mes tyre edhe struktura akomoduese të ngritura nga banorët vendas.

Ky operacion vjen në vazhdën e aksionit të parë të zhvilluar në korrik, kur u rrënuan rreth 70 ndërtime të tjera në të njëjtën zonë. Qeveria e ka cilësuar këtë ndërhyrje si pjesë të planit kombëtar për mbrojtjen e territorit dhe ndalimin e zaptimit të hapësirave publike, veçanërisht në zonat me potencial të lartë turistik si Thethi.

Sipas burimeve pranë IKMT-së, aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në përfundimin e plotë të planit të shembjeve të parashikuara. Operacioni po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në terren janë raportuar pakënaqësi nga banorët lokalë, të cilët pretendojnë se disa prej ndërtimeve janë burim të ardhurash për familjet e tyre që jetojnë nga turizmi.

Në deklaratat e mëparshme, kryeministri Edi Rama ka theksuar se asnjë ndërtim pa leje nuk do të tolerohet në zonat turistike e të mbrojtura, si pjesë e një strategjie më të gjerë për ruajtjen e identitetit natyror dhe kulturor të vendit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *