Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë pasdite sistemin e drejtësisë shqiptare. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, ka ndërruar jetë pasi u qëllua me armë zjarri brenda ambienteve të gjykatës.
Sipas burimeve, Kalaja u plagos rëndë dhe ndërroi jetë teksa po transportohej për në spital. Nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës ku dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore, kur në rrethana ende të paqarta autori Elvis Shkëmbi ka hapur zjarr ndaj gjyqtarit. Menjëherë pas ngjarjes, ai është arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë që ndodheshin në vend.
Në ambientet e Gjykatës së Apelit ndodhen aktualisht efektivë të shumtë policie dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët po kryejnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati brenda institucionit të drejtësisë.
Ende nuk dihen motivet që e çuan autorin të ndërmerrte këtë akt ekstrem, ndërsa policia po punon për të siguruar dëshmi dhe prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Kjo është një ngjarje e paprecedentë që ngre shqetësime serioze mbi sigurinë në institucionet gjyqësore dhe cenimin e autoritetit të drejtësisë në vend.