Alessandro Del Piero ka komentuar barazimin pa gola në “derbin e Italisë” mes Juventusit dhe Milanit, duke dhënë një analizë të detajuar për paraqitjen e dy skuadrave.
Sipas ish-kapitenit bardhezi, Juventusi arriti një pikë të vlefshme, por me shumë pikëpyetje mbi efikasitetin e repartit të avancuar.
“Juve mori një pikë, ndërsa Milani humbi një mundësi të artë. Rossonerët kishin një penallti dhe të paktën dy raste të pastra. Fitimi i këtyre ndeshjeve do të kishte dërguar një mesazh të fortë për të gjithë”, tha Del Piero.
Legjenda italiane vuri në pah dobësitë e Juventusit në fazën sulmuese, duke theksuar mungesën e një lojtari që të bëjë diferencën:
“Për momentin nuk ka një sulmues vendimtar. Titullarët kanë pasur vështirësi, ndërsa Vlahovic ka dhënë më shumë kur ka hyrë nga stoli. Me kaq shumë barazime radhazi, është e vështirë të gjesh një identitet të qartë ofensiv”.
Sa i përket mënyrës së lojës, Del Piero sugjeroi se skuadra duhet të rrisë ritmin dhe të shfrytëzojë më shumë hapësirat:
“Juventusi mund të përmirësohet duke luajtur me më shumë intensitet dhe vertikalitet. Conceicao e Yildiz janë më të rrezikshëm kur kanë hapësirë, por kur loja ngadalësohet, ekipi ngec. Locatelli është i vetmi që mund të diktojë ritmin. Intensiteti duhet të jetë baza, por me rotacionet e shumta kjo nuk është e lehtë”.
Në fund, Del Piero theksoi se Milani është më i konsoliduar në krahasim me rivalin e përjetshëm:
“Milani ka lojtarë me personalitet, ndërsa Juventusi ende po kërkon identitetin e tij sulmues”, përfundoi ai.