Vetëm pak ditë na ndajnë nga sfida e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë, një duel vendimtar për vendin e dytë në grup. Teksa pritet lista përfundimtare e formacionit kuqezi, diskutimet në opinionin sportiv janë përqendruar te zgjedhjet e mundshme të trajnerit Silvinjo.

Zyrtari i FSHF-së, Fation Kodra, ka folur për “FSHF TV”, duke theksuar se tekniku brazilian nuk i frikësohet ndryshimeve dhe se gjithmonë ka treguar guxim në përzgjedhjet e tij.

“Ekziston një perceptim se Silvinjo nuk ndryshon dhe nuk përfshin emra të rinj, por në realitet është e kundërta. Në çdo listë që ka publikuar, ka pasur lojtarë të rinj. Shembulli më i qartë është Julian Shehu, që u zbulua prej tij dhe sot është titullar. Edhe në ndeshjet me Gjibraltarin apo Letoninë u panë emra të rinj si Kristian Shpendi,” – u shpreh Kodra.

Sipas tij, zgjedhjet e Silvinjos mbështeten gjithmonë te forma dhe angazhimi i lojtarëve në stërvitje:

“Rendimenti në seancat stërvitore është thelbësor për trajnerin. Ai vlerëson sjelljen, përkushtimin dhe përgatitjen e çdo futbollisti. Për këtë arsye, nuk do të ishte aspak çudi të shohim ndryshime në formacion përballë Serbisë.”

Kodra përfundoi duke e cilësuar trajnerin brazilian si një figurë që nuk ka komplekse dhe guxon të marrë vendime të rëndësishme:

“Silvinjo është një trajner që guxon dhe nuk ka frikë të eksperimentojë kur e sheh të arsyeshme.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *