Një zhvillim i rëndësishëm është arritur në konfliktin izraelito-palestinez. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje historike për armëpushim në Rripin e Gazës, duke theksuar se Hamasi do të lirojë të gjithë pengjet brenda ditës së hënë.

“Pengjet do të lirohen, ndoshta të hënën. Ata ndodhen ende nën tokë, por po punohet për t’i nxjerrë. Kjo do të përfshijë edhe trupat e të vdekurve,” deklaroi Trump.

Në një reagim të mëvonshëm në platformën e tij Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu entuziazmin për këtë hap të parë drejt paqes, duke thënë se Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të planit të paqes.

“Jam shumë krenar që Izraeli dhe Hamasi kanë pranuar fazën e parë të planit tonë të paqes. Kjo do të thotë se të gjithë pengjet do të lirohen së shpejti dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakorduar. Është hapi i parë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë,” shkroi ai.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka konfirmuar se mirëpret nënshkrimin e marrëveshjes për lirimin e pengjeve. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Eyal Zamir, ka urdhëruar të gjitha njësitë të jenë në gatishmëri maksimale dhe të përgatiten për çdo skenar të mundshëm.

“Vendosjet e forcave do të zhvillohen sipas udhëzimeve të skalonit politik dhe në përputhje me fazat e marrëveshjes. Prioritet mbetet siguria e ushtarëve dhe përgatitja për operacionin e kthimit të pengjeve,” thuhet në deklaratën e IDF-së.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *