Një ngjarje e rëndë, që ngjan me skenar filmi horror, ka tronditur qytetin Herdecke në landin Nordrhein-Westfalen të Gjermanisë.

Sipas hetimeve paraprake, kryebashkiakja Iris Stalzer, 57 vjeç, është sulmuar me thikë dhe torturuar për orë të tëra në bodrumin e shtëpisë së saj nga vajza e adoptuar, 17 vjeç.

Sipas policisë gjermane, ngjarja ka ndodhur në orët para se të bëhej thirrja për ndihmë dhe të mbërrinte ambulanca. Rindërtimi i ngjarjes është konfirmuar nga dëshmia e vetë viktimës, e cila ka rifituar vetëdijen dhe ka identifikuar vajzën si autore të dyshuar.

Burime të policisë, të cituara nga gazeta “Bild”, bëjnë me dije se e mitura e ka sulmuar nënën e saj në bodrum duke tentuar t’i djegë flokët me spraj dhe çakmak, dhe më pas e ka goditur disa herë me dy thika.

Në trupin e gruas janë konstatuar rreth trembëdhjetë plagë me thikë në zonën e barkut dhe të trupit, ndërsa dëmtimet në kokë sugjerojnë përplasje me një objekt të fortë.

Hetimet paraprake dyshojnë se motiv i mundshëm i sulmit mund të ketë qenë hakmarrja. Sipas policisë, pas ngjarjes, vajza duket se është penduar, pasi ka tentuar të pastrojë gjakun dhe ka telefonuar për ndihmë në orën 12:40.

Autoritetet gjermane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse vajza do të ndiqet penalisht si e mitur apo e rritur.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *