Nga Lutfi Dervishi

Rey Manaj shënoi mbrëmë golin që i hap rrugën Shqipërisë drejt pjesëmarrjes në Botëror! Ishte momenti më i bukur i karrierës së tij dhe, ndoshta, i gjithë kombëtares shqiptare. Për atë emocion, ai tha se ishte i gatshëm të jepte dhjetë vite jetë.

Gëzimi i tij u shpreh natyrshëm: fluturoi duke formuar me duar shqiponjën dykrenare. Ky gjest, një simbol krenarie dhe kujtese për origjinën, u fiksua në foto, në mendjen e shqiptarëve dhe, pak sekonda më pas, u ndëshkua me karton të verdhë.

Kur u pyet pas ndeshjes, Manaj nuk mbante mend as dënimin, as arsyen. Por arbitri nuk foli: rregullorja foli për të. Sipas UEFA-s dhe FIFA-s, çdo shenjë që mund të interpretohet si “mesazh politik ose provokues” është e ndaluar. Kështu, shqiponja dykrenare, e cila ndodhet në qendër të flamurit të Shqipërisë dhe në vetë fanellën e kombëtares, trajtohet sikur të ishte një simbol urrejtjeje.

Këtu qëndron paradoksi: institucioni që e pranon shqiponjën në uniformë, e dënon po atë shenjë kur bëhet me duar.

UEFA dhe FIFA kanë qëllim të mirë për ta mbajtur futbollin larg politikës, por bëjnë një gabim thelbësor kur vënë shenjën e barazimit mes nacionalizmit përçarës dhe identitetit kulturor.

Çfarë përbën ky gjest që e bën atë të quhet “ekstremizëm”? Asgjë. Është një shenjë që s’bën thirrje as për luftë, as për urrejtje, por është thjesht një kujtesë për origjinën. Shqiptarët, kudo që ndodhen, e kanë bërë atë gjest në gëzim, në krenari, në art, në sport. Nga Rita Ora në Wembley, te Xhaka dhe Shaqiri në Rusi, e deri te çdo fëmijë shqiptar në diasporë që mëson shqiponjën para alfabetit.

Nuk është gjest që bëhet vetëm kur luhet ndaj Serbisë!

Shqiponja dykrenare nuk është simbol lufte, por simbol bashkimi. Ajo ka lindur në flamurin e Skënderbeut, është flamuri zyrtar i shtetit shqiptar, anëtar i OKB-së, valon në çdo ndeshje ndërkombëtare dhe, më e rëndësishmja, është pjesë e stemës së Federatës Shqiptare të Futbollit, e miratuar vetë nga UEFA dhe FIFA.

Penalizimi i një lojtari për një simbol që është i ligjshëm dhe përfaqësues zyrtar i shtetit të tij është jo vetëm paradoks i hapur, por edhe padrejtësi e madhe. Është sikur të ndëshkosh një brazilian që vallëzon samban pas golit apo një japonez që përkulet nga respekti; ato janë shfaqje të natyrshme të identitetit kombëtar.

Federata e Futbollit dhe diplomacia duhet të ndërhyjnë, duke kërkuar një sqarim zyrtar nga UEFA dhe FIFA.

Nëse shqiponja është në flamur, në fanellë dhe në identitetin e një kombi anëtar, si mund të quhet papritmas “e ndaluar” në duart e një futbollisti?

Nëse ajo përbën “rrezik politik”, atëherë duhet të ndalohen të gjitha flamujt, të gjitha himnet dhe të gjitha uniformat kombëtare, sepse secila prej tyre ka një histori, një ndjenjë dhe një kujtesë që dikush, diku, mund ta quajë “provokim”.

Një lojtar shqiptar që bën shqiponjën nuk po bën thirrje për ndasi, por po kujton kush është dhe po falënderon vendin që e rriti. Dhe nëse dikush ndjehet i provokuar nga një shqiponjë që fluturon, problemi nuk është te shqiponja.

Futbolli është lojë emocionesh të pastra. Të ndëshkosh një emocion vetëm se vjen nga një komb i vogël do të thotë t’i presësh krahët vetë sportit. Dhe për një popull që është mësuar të ngrihet gjithmonë nga hiri, asnjë karton i verdhë s’mund ta ndalojë shqiponjën të fluturojë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *