Procesi zgjedhor i së dielës në Kosovë u zhvillua qetë, pa incidente të theksuara dhe me pjesëmarrje 39.5%

, më e ulët krahasuar me zgjedhjet komunale të vitit 2021. Edhe pse gara ishte e ngushtë pothuajse kudo, 21 komuna arritën të përmbyllin zgjedhjet që në rundin e parë, ndërsa 17 të tjera do të rikthehen në kuti më 9 nëntor për balotazh.

Në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë asnjë kandidat nuk e kaloi pragun prej 50 për qind, duke lënë të hapur garën mes dy të parëve. Në shumë prej këtyre komunave diferencat janë minimale, sidomos në kryeqytet dhe Mitrovicë, ku rezultatet preliminare nuk japin epërsi të qartë.

Sipas projeksioneve fillestare, Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar fitore pa balotazh në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit. Megjithatë, në Drenas, një prej bastioneve tradicionale të saj, kandidati i pavarur Ramiz Lladrovci – që deri para zgjedhjeve ishte pjesë e PDK-së – arriti ta mposhtë rivalin e partisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar me shumicë absolute në tre komuna: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë e para në Klinë dhe Deçan, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në raund të parë në Istog dhe Lipjan. Nisma Socialdemokrate ka siguruar Malishevën, ndërsa komuniteti turk, përmes KDTP-së, ka ruajtur Mamushën.

Në komunat me shumicë serbe, Lista Serbe ka dominuar garën duke fituar menjëherë në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicën e Veriut. Përjashtim ka bërë Kllokoti, ku kandidati i kësaj force, Bozhidar Dejanoviç, me 41.62 për qind, duhet të përballet në balotazh me rivalin e Unitetit Kombëtar Serb, Sreqko Spasiç.

Raundi i dytë, i planifikuar për 9 nëntor, pritet të përcaktojë fatin e komunave më të mëdha dhe të sjellë rezultate vendimtare për balancat politike lokale në Kosovë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *