Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për të shpallur moskompetencën në lidhje me shqyrtimin e dekretit presidencial nr. 350, datë 1 tetor 2025, që përcakton zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës në datën 9 nëntor 2025.

Në shkresën drejtuar Kushtetueses, kreu i shtetit kërkon gjithashtu që në seancën e planifikuar më 31 tetor, gjykata të heqë masën e pezullimit të zgjedhjeve dhe të rrëzojë kërkesën e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si të pabazuar në Kushtetutë dhe në ligj.

Begaj argumenton se çështja e ngritur nga Veliaj nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, pasi shkarkimi i tij si kryebashkiak është një akt administrativ dhe jo një çështje që i përket kontrollit kushtetues.

“Vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e procesit të ankimit, e cila është cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese,” thuhet në shkresën zyrtare të Presidentit.

Në kërkesën e depozituar, institucioni i Presidentit i kërkon Gjykatës Kushtetuese që:

Të deklarojë moskompetencë për shqyrtimin e dekretit presidencial;

Të heqë pezullimin për dekretin që cakton datën e zgjedhjeve;

Të rrëzojë kërkesën e Erion Veliajt si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;

Dhe, për shkak të pezullimit që ka penguar zhvillimin e procesit zgjedhor, të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për përgatitjen e zgjedhjeve në një datë të re, jo më herët se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Kushtetueses.

Sipas Presidentit Begaj, zbatimi i këtij procedimi është i vetmi mekanizëm që mund të garantojë rikthimin e rendit kushtetues dhe vijimin pa vonesa të procesit zgjedhor në kryeqytet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *