Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të mërkurë në Kuvend kërkesën për nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se kërkesa bazohet në “shkelje të rënda dhe të vazhdueshme të Kushtetutës” nga ana e kreut të shtetit.

“Kemi dorëzuar sot në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit Bajram Begaj, për shkelje të rëndë në mënyrë të vazhdueshme të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është argumentuar në një material voluminoz ku analizohen të gjitha shkeljet e Presidentit, të cilat i çmojmë se kanë cënuar rendin kushtetues,” – deklaroi Bardhi.

Sipas tij, opozita është e bindur se Presidenti Begaj “nuk mund të jetë më de juro kreu i shtetit”, pasi ka vepruar në kundërshtim me detyrimet kushtetuese dhe ka tejkaluar kompetencat që i njeh ligji themeltar i shtetit.

“Pas një analize shteruese, të provave dhe fakteve të Kushtetutës, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti ka konsumuar 7 shkelje të rënda,” shtoi Bardhi, pa dhënë detaje për natyrën e secilës prej tyre.

Kërkesa e Partisë Demokratike pritet të shqyrtohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe Rregulloren e Parlamentit, ndërsa më pas, nëse do të miratohet, mund t’i kalojë për vlerësim edhe Gjykatës Kushtetuese.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *