Pas reagimit të Presidentit Bajram Begaj ndaj kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e tij, ka ardhur kundërpërgjigjja e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi ka publikuar dokumente që, sipas tij, tregojnë se djali i Presidentit paguhet 30 mijë euro në vit nga kompania e sigurimeve me të cilën Presidenca e Republikës ka kontratë për shërbimet e saj të prokurimit.

Sipas Bardhit, djali i kreut të shtetit nuk ndodhet në Shqipëri, por jeton e punon si mjek në një spital në Gjermani, ndërsa pagesat nga kompania shqiptare kanë nisur vetëm disa muaj pas emërimit të Bajram Begajt në detyrën e Presidentit.

“Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë! Çfarë e pengoi Presidentin të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit,” shkruan Bardhi.

Ai thotë se dokumentet e publikuara janë marrë nga deklaratat zyrtare të pasurisë dhe nga Thesari i Shtetit, duke theksuar se bëhet fjalë për një “rast flagrant të konfliktit të interesit dhe përfitimit të paligjshëm”.

Sipas Bardhit, “6 muaj pas emërimit të babait president, djali i tij paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve që ka kontratë me Presidencën, në vlerën 30 mijë euro në vit”.

“Kjo është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit që nis nga maja e shtetit,” përfundon reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së.

Kujtojmë se më herët, Presidenti Begaj i cilësoi si “të pavërteta dhe politikisht të motivuara” akuzat e Partisë Demokratike, duke kërkuar që Kuvendi të hetojë me profesionalizëm dhe transparencë pretendimet e ngritura në kërkesën për shkarkimin e tij.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *