Gjykata e Tiranës ka vendosur të pezullojë përkohësisht çdo veprim me aksionet e kompanisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., pas një përplasjeje të fortë mes dy ortakëve kryesorë të këtij koncesioni, biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.
Vendimi gjyqësor parashikon gjithashtu pezullimin e së drejtës së votës të shoqërisë “Mabco Constructions S.A.”, në pronësi të Pacollit, deri në regjistrimin zyrtar të kontratës për transferimin e 49% të kuotave të kompanisë tek “2A Group” sh.p.k., e cila mban nën kontroll Ademin.
Konflikti për ndarjen e aksioneve
Në qendër të përplasjes mes dy biznesmenëve qëndron ndarja e aksioneve të aeroportit të Vlorës. Ndërsa në regjistrat zyrtarë Ademi figuron me vetëm 2% të aksioneve, ai pretendon pronësinë e 47% të tyre, duke u mbështetur në një kontratë noteriale të nënshkruar pas largimit të grupit turk YDA.
Ky grup zotëronte 40% të aksioneve dhe ia transferoi kompanisë “Mabco” për shumën simbolike prej 4,200 eurosh. Po atë ditë, “Mabco” dhe “2A Group” nënshkruan një marrëveshje të re që përcaktonte ndarjen e aksioneve sipas përqindjeve 53% për Mabco dhe 47% për 2A Group, por kjo marrëveshje nuk u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërkohë, “2A Group” kërkon tashmë njohjen zyrtare të kësaj ndarjeje, duke paraqitur dokumente që sipas saj provojnë investimet e kryera gjatë dy viteve të fundit. Nga ana tjetër, Pacolli, përmes kompanisë së tij “Mabco”, refuzon këto pretendime dhe ka bllokuar çdo ndryshim në strukturën e kapitalit.
Hetime penale dhe tensione në administratë
Përplasja e ashpër mes ortakëve ka çuar në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë që menaxhon aeroportin, ndërkohë që pasuesi i tij ka dhënë dorëheqjen vetëm pak ditë më parë.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime për çështjen, duke regjistruar ndaj tre personave – Behgjet Pacolli, vëllanë e tij Emin Pacolli dhe Nelson Çelën, administrator i “Mabco Construction S.A.” në Zvicër – akuzat për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh.
Nelson Çela, pas dëshmisë së dhënë në Prokurori, ka firmosur dorëheqjen nga detyra.
Reagimi i Behgjet Pacollit: “Komplot kundër meje”
Në reagimin e tij publik, biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli deklaron se është përballur me një “fushatë të organizuar” kundër tij në Shqipëri. Ai e cilëson situatën si një “komplot të koordinuar” dhe thekson se ndërtimi i aeroportit të Vlorës është drejt përfundimit, ndërkohë që ai personalisht ka kontribuar me investime të mëdha të provuara me fonde private.
Pacolli thekson se nuk do të bëjë “asnjë lëshim për ato që i përkasin”, duke nënvizuar se çdo euro e investuar vjen nga punë dhe sakrifica personale. Ai shton se pavarësisht humbjeve të pritshme financiare, dëshira e tij është “të lërë një trashëgimi në Vlorë”, ndërsa akuzat ndaj tij i konsideron të pabazuara dhe synuese për të dëmtuar reputacionin e tij.