Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëshortja e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, Shqipe Selimi, i është bashkuar marshimit të motoristëve shqiptarë që kanë udhëtuar drejt Hagës për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale.
Përmes një postimi në profilin e saj, ajo ka shkruar se “Jehona e motoristëve shqiptarë nga e gjithë Evropa dëgjohet fuqishëm në rrugët që ata i përshkruan me krenari për UÇK-në”. Krahas mesazhit, Selimi publikoi edhe disa fotografi ku shfaqet pranë motoristëve gjatë marshimit.
Marshimi është organizuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe nisi katër ditë më parë nga Prekazi, me rreth 150 motoristë shqiptarë nga Kosova dhe shtete të ndryshme të Evropës. Thirrja e tyre kryesore ka qenë “Drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Të dielën, ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, konfirmoi se grupi që u nis nga Prekazi ka mbërritur në destinacion.