Mediat kryesore britanike i kanë kushtuar vëmendje deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Londër këtë të martë, ku ai kritikoi ashpër pasojat e Brexit dhe retorikën kundër emigrantëve shqiptarë.

“Daily Express” shkruan se Rama u shpreh se bashkëpunimi më i ngushtë mes vendeve evropiane ndihmon në luftën kundër migracionit të paligjshëm, ndërsa Brexit, sipas tij, ka prodhuar efektin e kundërt.

“Disa i quajnë anije të vogla, disa i quajnë anije të Brexit-it. Ju e latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion”, citohet Rama nga tabloidi britanik.

Në të njëjtin raportim, “Daily Express” shton se të mërkurën kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të presë në Londër udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Ramën, për të diskutuar masa të reja në luftën kundër rrjeteve të kontrabandës dhe kalimeve të paligjshme përmes Kanalit të La Manshit.

Në një tjetër artikull, “The Mirror” e përshkruan Ramën si “kryeministrin vizitor që nuk i kurseu fjalët”, duke theksuar se ai u kërkoi kritikëve të shqiptarëve në Britani “të mbyllin gojën” (shut the fuck up).

Sipas tabloidit, Rama u shpreh se Britania po paguan çmimin e daljes nga Bashkimi Evropian dhe u tall me ish-ministren e Brendshme, Suella Braverman, e cila në vitin 2023 kishte akuzuar shqiptarët për krime.

“Mos u merrni me shqiptarët, sepse nëse shqiptarët ju mallkojnë, thjesht zhdukesh”, citohet Rama me humor. Ai theksoi se shqiptarët janë tashmë pjesë e shoqërisë britanike dhe kontribuojnë në ekonomi, prandaj “duhet të përmenden vetëm për arsye të mira”.

Ndërkohë, “The Independent” fokusohet në aspektin politik të samitit që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, duke raportuar se Rama refuzoi mundësinë që Shqipëria të pranojë “qendra kthimi” për azilkërkuesit e refuzuar.
“E kam thënë dhe e përsëris: kurrë në Shqipëri”, tha Rama, duke shtuar me ironi se një ofertë e tillë mund të merrej parasysh vetëm “nëse Britania do të investonte 10 miliardë euro në ndërtimin e hekurudhave”.

Sipas “The Independent”, Mbretëria e Bashkuar po kërkon të forcojë bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor për të frenuar migracionin e paligjshëm. Vetëm vitin e kaluar, rreth 22 mijë persona janë kontrabanduar nga bandat përgjatë rrugëve të Ballkanit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *