Juventusi po kalon një moment të vështirë, pasi nuk ka arritur të marrë asnjë fitore në shtatë ndeshjet e fundit. Humbja e fundit ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu” në kuadër të Ligës së Kampionëve ka shtuar presionin mbi skuadrën dhe trajnerin Igor Tudor.
Pas ndeshjes, tekniku kroat pranoi se ekipi i tij meritonte më shumë nga kjo përballje.
“Largohemi nga Bernabeu me keqardhje që nuk morëm asnjë pikë. Djemtë janë të zhgënjyer, sepse e ndjenin se e meritonin të paktën një barazim. Krijuam raste, por nuk arritëm të gjejmë rrugën e rrjetës,” tha Tudor.
I pyetur për mungesën e liderëve në fushë, ai u shpreh:
“Të gjithë duhet të jenë liderë, gjithmonë. Në këtë drejtim jemi pak më poshtë se sa do të doja dhe duhet të përmirësohemi. Kemi shumë lojtarë të rinj dhe kemi humbur disa kampionë me përvojë. Por ekipi po ecën në drejtimin e duhur dhe unë besoj te ta.”
Tudor pranoi se mungesa e eksperiencës ka ndikuar në mungesën e qartësisë në momente kyçe:
“Dëshira ishte aty, por nëse nuk ke zakonin për të luajtur në nivelin më të lartë, kjo gjë ndikon. Megjithatë, unë largohem i sigurt dhe me bindjen se ky grup do të reagojë. Sigurisht, askujt nuk i pëlqen të largohet i mundur,” përfundoi trajneri bardhezi.

