Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka afat deri të dielën për të dërguar për votim në Kuvend përbërjen e qeverisë së re. Megjithatë, ndërsa afati ligjor prej 15 ditësh po i afrohet fundit, nga radhët e VV-së dhe partive të tjera politike nuk janë parë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Ekspertë të çështjeve politike vlerësojnë se procesi për formimin e qeverisë po shkon drejt zvarritjes, ndërsa mungojnë përpjekjet serioze për arritjen e një marrëveshjeje mes subjekteve politike.
Sipas hulumtuesit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, Lëvizja Vetëvendosje nuk po tregon gatishmëri për kompromis, çka po e vështirëson arritjen e një konsensusi për formimin e qeverisë së re. Ai shtoi se me kalimin e ditëve, presioni ndaj Kurtit dhe partisë së tij sa vjen e shtohet, pasi çdo vonesë rrit pasigurinë për stabilitetin politik në vend.

