Liga më e fuqishme e basketbollit në botë, NBA, po përballet me një nga skandalet më të mëdha në historinë e saj. Sipas raportimeve të ESPN dhe konfirmimeve nga FBI, ish-lojtari dhe trajneri aktual i Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, si dhe lojtari i Miami Heat, Terry Rozier, janë arrestuar për përfshirje në aktivitete të paligjshme bastesh sportive.
Gjatë një konference për shtyp, përfaqësues të FBI-së zbuluan se në operacionin e gjerë u arrestuan gjithsej 30 persona, përfshirë 13 anëtarë të mafias amerikane, në 11 shtete federale. Ndër të ndaluarit është edhe Damon Jones, ish-lojtar dhe trajner në NBA, i cili nuk ishte përmendur më herët në këtë hetim. Të arrestuarit akuzohen për vënien e basteve, zhvatje dhe transferim të parave në mënyrë të paligjshme.
Sipas hetimeve, gjashtë nga të pandehurit kishin siguruar informacione konfidenciale për gjendjen fizike të lojtarëve dhe strategjitë e ekipeve, të cilat më pas i përdornin për të vendosur baste me fitime të marramendëse. Pjesa tjetër e grupit merrej me organizimin e lojërave të paligjshme të pokerit.
Një nga rastet më flagrante është ai i basketbollistit të Miami Heat, Terry Rozier, i cili, sipas dosjes hetimore, kishte paralajmëruar grupin kriminal se më 23 mars 2023 do të largohej para kohe nga loja për shkak të një “dëmtimi”. Pas vetëm nëntë minutash në parket, Rozier u largua, duke bërë që grupi të fitojë 200 mijë dollarë në baste për performancën e tij nën mesatare. Më pas, sipas FBI-së, ai i ka ndarë fitimet me bashkëpunëtorët në shtëpinë e tij.
Në skandal përmendet edhe Jontay Porter, ish-lojtar i Toronto Raptors, i cili kishte qenë i përfshirë më parë në aktivitete bastesh. Nuk ka akoma një akuzë zyrtare ndaj tij pasi hetuesit konstatuan se Porter kishte vepruar nën kërcënimin e mafias, për shkak të borxheve të lojërave të fatit.

