Hetimet për kompaninë “Bankers Petroleum” janë zhvendosur tashmë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pasi Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencë për çështjen, duke argumentuar se gjatë hetimeve disa mujore janë zbuluar elementë të rinj që lidhen me korrupsionin dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në një grup të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, drejtuesi i kompanisë, Hongping Xiao, dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, të cilët ndodhen në burg prej korrikut, kanë paraqitur kërkesë në GJKKO për ndryshim të masës së sigurisë. Përmes avokatëve të tyre, ata kanë kërkuar gjithashtu informacion mbi ecurinë e hetimeve që po zhvillohen në dy muajt e fundit.

Të dy po hetohen për mashtrim, pastrim parash dhe abuzim me detyrën, ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas akuzës, drejtuesit e “Bankers Petroleum” dyshohet se kanë manipuluar bilancet financiare të kompanisë duke fryrë shpenzimet nëpërmjet transfertave me palë të lidhura dhe kontratave të dyshimta. Ky veprim, sipas prokurorisë, ka sjellë daljen e kompanisë me humbje të vazhdueshme dhe shmangien e pagesës së tatimit mbi fitimin ndaj shtetit shqiptar.

Në bazë të ligjit, kompanitë që operojnë në industrinë e nxjerrjes së naftës mund të zhvillojnë veprimtari në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, por detyrohen të paguajnë 50% tatim mbi fitimin.

Që nga krijimi në vitin 2004, “Bankers Petroleum” ka raportuar shitje me vlerë 532 miliardë lekë, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime prej 684 miliardë lekësh. Këto shifra kanë ngritur dyshime te prokurorët mbi arsyet e vazhdimit të operacioneve pavarësisht humbjeve, si dhe mbi mundësinë e transferimit të fshehtë të fitimeve përmes kanaleve të tjera financiare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *