Një nga akademitë më të njohura të futbollit në botë, S.L. Benfica, do të hapë në Prishtinë shkollën e saj të parë të futbollit në Kosovë, në bashkëpunim me UBT-në. Projekti, që zhvillohet nën moton “Making Kosovo Heroes”, pritet të inaugurohet në mars të vitit 2026, duke shënuar një moment historik për sportin kosovar.

Kjo është shkolla e parë që Benfica do të hapë në rajon, ndërsa pritet që iniciativa të zgjerohet më pas edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni të organizuar në Klubin Benfica në Lisbonë, nga Drejtori i Zgjerimit Ndërkombëtar të Benfica-s, Bernardo Faria de Carvalho, dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

“Ky është një projekt që do të krijojë heronjtë e ardhshëm të futbollit në Kosovë,” u tha në njoftimin zyrtar, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit për zhvillimin e talenteve të reja në vend.

Akademia do të jetë e hapur për grupmoshat 4 deri në 16 vjeç, ndërsa trajnimet do të zhvillohen nën mbikëqyrjen e trajnerëve profesionistë të licencuar nga Benfica. Klubi portugez do të dërgojë në Prishtinë një ekip koordinatorësh dhe trajnerësh, që do të sigurojnë zbatimin e programit sipas standardeve evropiane të futbollit.

Përveç zhvillimit të talentit sportiv, projekti synon të ofrojë mundësi të reja për të rinjtë kosovarë, duke i afruar ata me filozofinë e ekselencës që karakterizon klubin e famshëm portugez.

Ky bashkëpunim pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e futbollit vendor dhe në forcimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës në arenën sportive.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *