Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatar për kryeministër, Albin Kurti, paraqiti në Kuvend përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, por propozimi i tij nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u miratuar.
Në qeverinë e re të propozuar, Kurti ka parashikuar 19 ministri – katër më shumë se në kabinetin e kaluar – megjithëse më parë kishte kritikuar partitë e tjera për fryrjen e strukturës qeveritare.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ai arsyetoi shtimin e ministrive me nevojën për “rritje të efikasitetit institucional”, duke përmendur disa ndarje që, sipas tij, do të lehtësojnë punën e ekzekutivit.
“E kemi parë nga përvoja se është më funksionale që Ministria e Punëve të Brendshme të ndahet nga Administrata Publike, ndërsa digjitalizimi të jetë pjesë e kësaj të fundit. Po ashtu, ndarja e Infrastrukturës dhe Transportit nga Planifikimi Hapësinor dhe Mjedisi do të mundësojë menaxhim më efektiv,” u shpreh Kurti.
Në listën e emrave të rinj që Kurti i propozoi për poste ministrore mungojnë disa figura të njohura të kabinetit të kaluar, si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.
Ndërkohë, kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, Kurti e ka propozuar për Ministër të Infrastrukturës, ndërsa për Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit është propozuar Nenad Rashiq. Donika Gërvalla, që deri tani ka drejtuar Punët e Jashtme, është caktuar për të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, vend që më parë e mbante Albulena Haxhiu, tashmë nënkryetare e Kuvendit.
Sipas Kurtit, këto ndryshime nuk janë bërë për arsye të pakënaqësisë me punën e ministrave, por si pjesë e një riorganizimi që synon përputhjen e qeverisë me objektivat e reja të Lëvizjes Vetëvendosje.

