Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026, në të cilin parashihen pagesa e 13-të, rritje të shtesave dhe të pensioneve, si dhe rritje e pagës minimale.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2026 si “buxhet me shumë risi”, duke paraqitur para kabinetit qeveritar ndarjet dhe prioritetet buxhetore.
Sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 4 miliardë euro.

“Ky buxhet sjell disa risi. Së pari, bëhet fjalë për një buxhet prej 4 miliardë eurosh, ku një e katërta – rreth 1 miliard euro – është dedikuar për investime kapitale. Një ndër risitë kryesore është dhënia e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik. Po ashtu, përfshihet edhe rritja e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvoje pune, ndryshe nga praktika e mëhershme, kur rritja ishte vetëm 0.25% për 15 vitet e para,” tha Kurti.

Ai shtoi se buxheti për vitin 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë e lehona, pagesat për të rinjtë dhe gratë që përfshihen në programin “Superpunë”, si dhe përfundimin e reformës së asistencës sociale dhe të mbështetjeve të tjera sociale.

“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barnat esenciale, si dhe për fushat e kulturës dhe sportit,” theksoi Kurti.

Kryeministri në detyrë paralajmëroi ndryshime edhe për sektorin privat dhe për pensionistët.

“Kemi lajm të mirë edhe për sektorin privat: parashikohet rritje e pagës minimale, që do të ndikojë te rreth 150 mijë të punësuar. Po ashtu, për pensionistët, pensioni bazë do të rritet nga 120 në 150 euro. Siç kemi premtuar, do të ketë përfitime edhe për nënat nga muaji nëntor, shtesat për të gjithë fëmijët do të rriten me 50 për qind. Meqë Kuvendi është konstituuar sot, do ta dërgojmë në Kuvend edhe projektbuxhetin për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,” përfundoi Kurti.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *