Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar mundësinë e një lufte midis Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, megjithëse pranoi se marrëdhëniet me regjimin e Nicolás Maduro-s janë përkeqësuar ndjeshëm.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” në CBS, Trump u pyet nëse SHBA-të mund të ndërhynin ushtarakisht kundër Venezuelës. “Dyshoj. Nuk mendoj kështu,” u përgjigj ai. “Por ata na kanë trajtuar shumë keq.”
Deklaratat e tij vijnë ndërkohë që forcat amerikane po kryejnë operacione në Karaibe kundër anijeve të dyshuara për trafik droge. Sipas administratës së Trump, këto sulme synojnë të ndalin rrjedhën e narkotikëve drejt territorit amerikan, ndërsa kritikët mendojnë se mund të jenë pjesë e një presioni të gjerë ndaj regjimit të Maduro-s.
Trump e ka mohuar këtë fakt, duke u shprehur se veprimet ushtarake “kanë të bëjnë me shumë çështje”, por jo drejtpërdrejt me përmbysjen e qeverisë venezueliane. “Çdo varkë që ndalojmë shpëton jetë. Çdo anije që rrëzojmë do të thotë më pak njerëz të varur nga droga, më pak familje të shkatërruara,” deklaroi ai nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Florida.
Sipas CBS News, që nga fillimi i shtatorit, të paktën 64 persona janë vrarë në operacionet amerikane në Karaibe dhe në Paqësorin lindor.
I pyetur nëse Uashingtoni po shqyrton ndonjë ndërhyrje nga toka, Trump refuzoi ta përjashtonte plotësisht një gjë të tillë. “Nuk do të them çfarë do të bëjmë me Venezuelën, nëse do të veprojmë apo jo,” shtoi ai.
Ndërkohë, presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka akuzuar SHBA-në se po përgatit një “luftë të fabrikuar”, ndërsa homologu kolumbian Gustavo Petro ka vlerësuar se goditjet amerikane ndaj anijeve janë pjesë e një strategjie për “dominim të Amerikës Latine”.
Trump, nga ana tjetër, theksoi se qeveria e tij nuk do të lejojë hyrje të paligjshme të emigrantëve. “Ata vijnë nga kudo, nga Kongo, nga Amerika e Jugut, por veçanërisht nga Venezuela. Aty kanë banda si Tren de Aragua, që po përhapin krimin,” tha presidenti amerikan.

