Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ka sqaruar hapat që duhet të ndjekin qytetarët për të njohur vjetërsinë e punës në ish-kooperativat bujqësore, sidomos në rastet kur mungon dokumentacioni i ruajtur nga këto struktura.

I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Hoxha shpjegoi se ligji parashikon procedura të veçanta për njohjen e periudhës së punës në kooperativa që nuk ekzistojnë më.

“Ekziston një ligj i posaçëm që mundëson njohjen e vjetërsisë së punës për personat që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore pa dokumente. Duhet plotësuar një sërë formularësh dhe të vërtetohet përmes certifikatës familjare se personi ka qenë banor i zonës ku ka vepruar kooperativa përkatëse,” – shpjegoi ai.

Sipas ekspertit, edhe niveli arsimor i ndjekur ndikon në llogaritjen e vjetërsisë së punës.

“Nëse dikush ka ndjekur arsimin e mesëm gjatë natës, nuk mund të përfitojë ditë pune për periudhën që ka qenë në shkollë. Llogaritja e vjetërsisë nis vetëm pas përfundimit të shkollës,” – sqaroi Hoxha.

Përveç certifikatës familjare, kërkohen edhe dokumente të tjera, si:

1. Gjendja familjare në datën 1 gusht 1991,

2. Një vërtetim për përfitimin e tokës sipas ligjit 7501, nëse personi ka qenë përfitues i saj.

Në përmbyllje, Hoxha theksoi se me kompletimin e këtyre dokumenteve, qytetarët mund të kenë të njohur zyrtarisht vjetërsinë e punës që nga përfundimi i shkollës e deri në mbylljen e kooperativave, duke siguruar një trajtim më të drejtë në skemën e pensioneve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *