Në Itali po shtohen dyshimet se atentati ndaj gazetarit të njohur investigativ Sigfrido Ranucci mund të jetë i lidhur me mafian shqiptare. Emisioni “Lo stato delle cose” në RAI 3, ka trajtuar mbrëmë ngjarjen, duke publikuar të dhëna që lidhen me një hetim të mëparshëm të Ranuccit për klanin Habilaj.

Në këtë kronikë u transmetua një pjesë nga një investigim i realizuar nga vetë Ranucci në prill të vitit 2024, në kuadër të programit “Report”, që ai e drejton prej vitesh. Në material flitej për aktivitetin e grupit kriminal Habilaj, të udhëhequr nga kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Gjatë hetimit, Ranucci kishte marrë në intervistë edhe ish-shefin e antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, i cili ndodhet në arrati që prej vitit 2015, pasi kishte akuzuar Tahirin për lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës. Në fragmentin e transmetuar përmendet me emër Moisi Habilaj, ndërsa flitet për linjat e trafikut të narkotikëve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas emisionit të RAI 3, ky investigim mund të ketë shërbyer si motiv për vendosjen e një bombe në makinën e gazetarit. Hetuesit italianë nuk e kanë përjashtuar pistën që atentati të jetë urdhëruar nga rrethet kriminale të lidhura me klanin Habilaj, edhe pse hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk ka konfirmime zyrtare.

Ngjarja ndodhi gjatë natës së 17 tetorit 2025 në Pomezia, kur automjeti i Ranuccit dhe ai i vajzës së tij shpërthyen dhe u përfshinë nga flakët. Deri tani, autoritetet italiane po hetojnë disa pista, përfshirë dhe atë të mafias shqiptare.

Vetë Ranucci, në deklaratat e dhëna për mediat shqiptare, ka pranuar se është në dijeni të kërcënimeve serioze ndaj tij dhe se “vrasës shqiptarë” kanë qenë ndër personat që dyshohet se janë përfshirë në planin për ta eliminuar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *