Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar zyrtarisht Glauk Konjufcën për mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e bëri të ditur vendimin në mbledhjen e Këshillit, që kishte për qëllim caktimin e kandidatit për kryeministër të vendit.

“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë,” deklaroi Kurti gjatë mbledhjes, duke sqaruar se vetë do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës – pozitë që në kabinetin e propozuar më 26 tetor i ishte besuar Konjufcës. Ekzekutivi i propozuar atëherë nuk arriti të marrë mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke shkaktuar një ngërç institucional.

Sipas Kurtit, ky vendim është marrë për të shmangur dy palë zgjedhje të mundshme dhe për t’i dhënë mundësinë Kuvendit që të miratojë buxhetin për vitin 2026. Ai paralajmëroi se në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje në muajin dhjetor pa buxhet të miratuar, do të rrezikohej funksionimi i shtetit dhe stabiliteti ekonomik i Kosovës.

“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam tek Glauku, por edhe për të siguruar që Kosova të ketë qeveri funksionale dhe stabilitet politik. Është më e rëndësishme që vendi të ecë përpara dhe t’i shmangim krizave të panevojshme,” shtoi Kurti.

Pas propozimit, pritet që Glauk Konjufca të nisë konsultimet me grupet parlamentare për të ndërtuar shumicën e nevojshme në Kuvend dhe për të përgatitur strukturën e re qeveritare. Kjo lëvizje politike shihet si përpjekje e Vetëvendosjes për të mbajtur pushtetin, ruajtur unitetin e brendshëm dhe shmangur shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Në ditët në vijim, pritet që Konjufca të paraqesë para Kuvendit programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit të ri, ndërsa vendi mbetet në pritje të zgjidhjes së ngërçit politik.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *