Bizneset nga Kosova janë drejt finalizimit të një tjetër blerjeje të rëndësishme në tregun shqiptar. Autoriteti i Konkurrencës është njoftuar në muajin tetor në lidhje me transaksionin e propozuar mbi blerjen e 100% të aksioneve të kompanisë Tring TV nga shoqëria Vertex Holding.
Vertex Holding është një kompani e regjistruar rishtaz në Shqipëri, në gusht të këtij viti, me objekt shitblerjen dhe kontrollin e aksioneve.
Ortak i vetëm i shoqërisë është shtetasi nga Kosova, Valon Shala.
Valon Shala është drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues ligjor i Artmotion, operator i shërbimit të internetit dhe IPTV në Kosovë.
Tring është platforma e dytë e shërbimeve audiovizive me pagesë në Shqipëri. Për vitin 2024, Tring raportoi një xhiro në vlerën e 1.52 miliardë lekëve dhe një fitim neto në vlerën e 13.1 milionë lekëve. Aktualisht, Tring është në pronësi të Concord Investment, shoqëri e zotëruar nga Artan, Adrian dhe Genci Dulaku.
Vlera e transaksionit nuk është bërë publike. Në muajin shtator të këtij viti, aksionarët e Tring vendosën rritjen e kapitalit nga 304 milionë lekë në 1.9 miliardë lekë, duke kapitalizuar huatë e dhëna prej tyre për kompaninë.
Ky transaksion pritet të shënojë hapin e radhës në zgjerimin e bizneseve nga Kosova në tregun shqiptar.
Në muajin korrik të këtij viti, kompania nga Kosova, Viva Fresh, mbylli blerjen e zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, Spar Albania. Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, operacioni kishte vlerën e 36.4 milionë eurove. Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni Xhevdet Rexhepi.
Në fillim të muajit shtator, kompania me kapital nga Kosova, ALBI Holding finalizoi blerjen e kompanisë së tregtimit të veshjeve, Fashion Group Albania (FGA), nga grupi shqiptar i biznesit Balfin. Vlera e transaksionit të shitblerjes ishte rreth 7.6 milionë euro.
ALBI Holding zotërohet prej biznesmenëve nga Kosova Tahir Humolli, Sutki Humolli, Nexhat Humolli, Nehat Humolli dhe Betim Humolli.
Në muajin tetor, shoqëria KAN shpk njoftoi publikisht blerjen e Global Fast Food Albania, kompanisë që zotëron të drejtën e markës globale të fast food-eve, KFC për Shqipërinë.
KAN, nga ana e saj, zotëron të drejtat e kësaj marke për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
KAN është një kompani e regjistruar në Kosovë, me pronar të vetëm biznesmenin Fatmir Zymberi. Grupi i tij i biznesit është i pranishëm në Shqipëri prej vitesh, nëpërmjet kompanisë Scandinavian Living, që zotëron të drejtën e përdorimit të markës daneze Jysk për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit.
Gjithashtu, një nga kompanitë më të mëdha të tregtimit të karburanteve në Kosovë, HIB Petrol, pritet të hyjë në tregun shqiptar. Kompania në fjalë ka aktivizuar këtë vit filialin e saj të regjistruar në Shqipëri, me objekt kryesor tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve.
HIB Petrol është një nga subjektet më të mëdha të tregtimit të karburanteve në Kosovë dhe është pjesë e grupit të biznesit HIB Holding, zotëruar në masën 100% nga sipërmarrësi nga Kosova, Ibrahim Bucaliu.
Statistikat tregojnë se në mesin e 2025 stoku i investimeve nga Kosova arriti në 485 milionë euro, në rritje me pothuajse 440% në harkun e pesë viteve të fundit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në fund të vitit 2024 në Shqipëri vepronin 582 ndërmarrje aktive me kapital nga Kosova, duke përfshirë edhe ato me kapital të përbashkët.
Numri i ndërmarrjeve me kapital nga Kosova është rritur me 12% krahasuar me një vit më parë.
https://monitor.al/platforma-televizive-tring-drejt-shitjes-te-kompania-nga-kosova/

