Qeveria shqiptare pritet të çojë pagën minimale në 60 mijë lekë në muaj deri në vitin 2028, si pjesë e strategjisë për rritjen graduale të të ardhurave dhe përmirësimin e standardit të jetesës së punëtorëve me paga të ulëta.
Sipas informacionit nga Ministria e Financave, në projektbuxhetin 2026, kjo synon të vijojë trendin e filluar vitet e fundit, ku paga minimale është rritur ndjeshëm, nga 30 mijë lekë në vitin 2022 në 40 mijë lekë që nga marsi i vitit 2023, dhe së shpejti pritet të arrijë në 50 mijë lekë në vitin 2026, sipas parashikimeve të projektbuxhetit.
Sipas burimeve pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, qeveria po shqyrton një skenar të ri afatmesëm që parashikon që në vitin 2027 të mos ketë rritje të pagës minimale, për të aplikuar rritjen tjetër në janar 2028, me 10 mijë lekë më shumë se niveli i 2026.
Rritja e pagës minimale është bërë një nga çështjet më të diskutuara në politikën ekonomike, pasi ndikon drejtpërdrejt në kostot e punës, kontributet shoqërore dhe rrit presionin mbi inflacionin.
Përfaqësues të bizneseve shprehin shqetësime se rritjet e shpejta mund të rëndojnë sektorët me intensitet të lartë pune, si fasoneria dhe shërbimet ku në themel të biznesit është krahu i lirë i punës.
Nëse ky plan zbatohet, paga minimale do të ketë shënuar një rritje prej 50% brenda gjashtë viteve, nga 40 mijë lekë në 2023 në 60 mijë lekë në 2028. Kjo do ta afronte Shqipërinë më shumë me mesataren e vendeve të rajonit, ku në disa shtete, si Mali i Zi dhe Serbia, paga minimale është tashmë mbi ekuivalentin e 55–60 mijë lekëve në muaj.
Vendimi për rritjen në 60 mijë lekë pritet të konkretizohet në kuadër të paketës fiskale të viteve 2027–2028, pas konsultimeve me grupet e interesit dhe analizës së ndikimit në tregun e punës.
https://monitor.al/paga-minimale-ne-vitin-2028-do-te-arrije-ne-60-mije-leke-ne-muaj/

