Qeveria e Maldivëve ka vendosur ndalimin e plotë të konsumimit të duhanit për të gjithë personat e lindur pas 1 janarit 2007, duke u bërë vendi i parë në botë që e ndalon këtë praktikë për një brez të tërë. Ligji, që hyri në fuqi më 1 nëntor, zbatohet si për qytetarët vendas ashtu edhe për turistët që vizitojnë ishujt.
Ministria e Shëndetësisë e cilësoi këtë vendim si “një moment historik në përpjekjet e vendit për mbrojtjen e shëndetit publik” dhe si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një “brezi pa duhan”.
Kjo masë vjen pas ndalimit të përdorimit, shitjes dhe posedimit të cigareve elektronike dhe pajisjeve “vape”, i cili u vendos me ligj një vit më parë.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se ndalimi nuk pritet të ndikojë në industrinë turistike. “Njerëzit nuk udhëtojnë në Maldive për të pirë duhan, por për të shijuar detin, diellin dhe ajrin e pastër,” deklaroi një përfaqësues i bordit të kontrollit të duhanit.
Sipas ligjit të ri, çdo person që dëshiron të blejë produkte duhani duhet të paraqesë dokument identifikimi për të vërtetuar moshën. Kjo e vendos Maldiven në pararojë të luftës globale kundër duhanit.
Në vende të tjera, nisma të ngjashme kanë pasur fat të ndryshëm: në Zelandën e Re nisma u tërhoq në vitin 2023 pas ndryshimit të qeverisë, ndërsa në Britaninë e Madhe propozimi i Rishi Sunak është ende në proces miratimi.
Ndërkohë, Franca ka zgjeruar ndalimin e duhanit në shumicën e hapësirave publike, sidomos aty ku qëndrojnë fëmijë. Maldivet shpresojnë që përmes kësaj politike të guximshme të rrisin një brez të ri në një mjedis më të shëndetshëm dhe plazhe tërësisht pa tym duhani.

