Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konfirmoi vlefshmërinë e mandatit të tij si kryebashkiak. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Veliaj e cilësoi vendimin si fitore të demokracisë dhe të qytetarëve të Tiranës.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket – popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij,” shkroi Veliaj.

Ai theksoi se procesi ka rikthyer besimin te shteti dhe ligji, duke e konsideruar vendimin si një moment të rëndësishëm për sistemin demokratik në vend. “E drejta mund të vonojë, por nuk harron,” u shpreh ai, duke shtuar se do të vijojë punën në krye të Bashkisë së Tiranës.

Në fund të reagimit të tij, Veliaj shprehu mirënjohje ndaj qytetarëve që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe:

“Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua. Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!”

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas një periudhe debatesh politike dhe juridike lidhur me vlefshmërinë e mandatit të tij si kryebashkiak.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *