Prokuroria e Stambollit ka lëshuar urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe 36 zyrtarë të tjerë të lartë të Izraelit, nën akuzën për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, në lidhje me operacionet ushtarake në Rripin e Gazës.

Në listën e personave të kërkuar për arrestim përfshihen edhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, ministri i Kufijve dhe Sigurisë Eyal Zamir, si dhe komandanti i Forcave Detare David Saar Salama.

Vendimi vjen në kohën kur luftimet në Gaza kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kritika ndërkombëtare për veprimet e ushtrisë izraelite. Prokuroria turke i ka cilësuar veprimet ushtarake si “të synuara ndaj popullsisë civile”, duke argumentuar se ekzistojnë bazat ligjore për akuza për gjenocid.

Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar, por Tel Avivi ka refuzuar më parë akuza të ngjashme, duke deklaruar se operacionet ushtarake synojnë grupin militant Hamas dhe jo civilët.

Analistët theksojnë se urdhri i arrestit ka kryesisht karakter simbolik, pasi Izraeli nuk ka marrëveshje ekstradimi me Turqinë, por lëvizja mund të ketë pasoja diplomatike dhe politike në arenën ndërkombëtare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *