Gjetja e një apartamenti me qira nën 400 euro brenda vijës së verdhë në Tiranë është bërë pothuajse e pamundur. Rritja e çmimeve të banesave ka shtyrë shumë familje të heqin dorë nga blerja e shtëpisë, duke i orientuar drejt qirave, të cilat po rriten me ritme të shpejta në të gjithë kryeqytetin.
Agjentët imobiliarë konfirmojnë se edhe në zonat periferike, si Astiri dhe Fresku, ku dikur çmimet ishin më të përballueshme, ofertat me 300–350 euro janë shumë të pakta dhe merren menjëherë sapo publikohen.
Sipas Stela Dhamit nga “Colliers International Albania”, në tregun afatgjatë të qirave, çmimet janë rritur ndjeshëm, veçanërisht pranë qendrës, ku rritja llogaritet nga 20 deri në 30% krahasuar me vitin e kaluar.
Një raport i publikuar së fundmi nga “Deloitte” tregon se qiratë në Shqipëri gjatë vitit 2024 sollën të ardhura rreth 350 milionë euro, rreth 10% më shumë se një vit më parë. Turizmi afatshkurtër ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e çmimeve. Apartamentet 1+1 në Tiranë, që disa vite më parë jepeshin me 300–400 euro, sot arrijnë nga 500 deri në 800 euro në muaj.
Në disa nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit, çmimet janë rritur edhe më shumë. Afër stadiumit “Air Albania”, qiratë për apartamente 2+1 kanë arritur mesatarisht 1,800 euro. Në ish-Bllok, apartamentet 1+1 kushtojnë rreth 650 euro në muaj, ndërsa në Rrugën e Elbasanit çmimet arrijnë 700 euro për të njëjtin tipologji.
Edhe zonat pranë Liqenit Artificial dhe Komunës së Parisit vijojnë të tërheqin interes të lartë nga familjet, me çmime që variojnë nga 650 euro për 1+1 deri në 1,400 euro për 2+1.
Sipas agjencive imobiliare, rritja e çmimeve është ndikuar nga tri arsye kryesore: kërkesa e lartë për banesa me qira, oferta e ulët dhe orientimi i një pjese të pronarëve drejt qirave afatshkurtra për turistë, ku fitimi ditor rezulton më i lartë.
Ndërkohë që turistët mund të gjejnë qira ditore me 40–60 euro në Tiranë, familjet rezidente përballen me një realitet krejt tjetër, ku buxheti mesatar i familjes shqiptare është larg çmimeve aktuale të qirave.
Si rezultat, gjithnjë e më shumë familje po detyrohen të qëndrojnë më gjatë në qira, duke shtyrë blerjen e një banese për një kohë të pacaktuar.

