Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 18 komuna u zhvillua të dielën dhe solli një rishpërndarje të qartë të pushtetit vendor në vend. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqin nga shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës gjashtë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë. Lista Serbe siguroi drejtimin e dhjetë komunave me shumicë serbe. Fitoret në raundin e parë për Nismën në Malishevë, Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe KDTP-në në Mamushë ishin të konfirmuara.
Procesi zgjedhor u vlerësua i qetë dhe pa incidente, megjithëse gjatë ditës janë raportuar vonesa në hapjen e qendrave të votimit, raste të fotografimit të fletëvotimeve dhe shqetësime lidhur me votimin me asistencë. Pjesëmarrja në 18 komunat e raundit të dytë ishte rreth 32.5 për qind, krahasuar me afër 40 për qind në raundin e parë.
Raundi i dytë solli ndryshime në disa komuna me shumicë shqiptare. Vetëvendosja siguroi fitore në Mitrovicë të Jugut, Fushë-Kosovë dhe Obiliq, me Faton Pecin, Valon Prebrezën dhe Halil Thaçin që morën drejtimin e komunave. Ndërkaq në Kaçanik, PDK-ja mbajti pushtetin, por me kryetar të ri, Sabedin Vishin.
Vetëvendosja e konsideroi rezultatin si një sukses politik. Kryeministri Albin Kurti tha se përballë kandidatëve të VV-së ishin rreshtuar pothuajse të gjitha partitë e tjera. “Është një situatë e paprecedentë në historinë elektorale të Kosovës. Ky është sukses i VV-së dhe i qytetarëve,” deklaroi ai, duke paralajmëruar tubime festimi në disa komuna ku u siguruan fitoret.
Nga ana tjetër, LDK-ja konsolidoi pozitat e saj në raundin e dytë duke fituar në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik dhe Viti, ndërsa fitoret në Istog dhe Lipjan u siguruan që në raundin e parë. Megjithatë, partia pësoi humbje në Obiliq dhe Fushë-Kosovë. Pas rezultatit, Xhafer Gashi njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet në parti pas 12 vitesh në krye të Obiliqit.
LDK-ja shpalli fitoren në kryeqytet menjëherë pas mbylljes së votimit. Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, e quajti rezultatin fryt të punës dhe ideve të qarta politike. Fituesi në Prishtinë, Përparim Rama, i kërkoi kundërkandidatit të tij nga VV, Hajrulla Çekut, reflektim pas rezultatit.

