Një studim shkencor i publikuar në revistën britanike BMJ ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilit përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të lidhet me rrezikun e autizmit tek fëmijët. Studimi konfirmon se nuk ekziston asnjë provë që mbështet një lidhje të tillë.
Sipas autorëve të studimit, të dhënat aktuale tregojnë se “nuk ka asnjë dëshmi që ekspozimi i fetusit ndaj paracetamolit shkakton autizëm apo çrregullim të hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD) në fëmijëri”.
Trump, në disa deklarata të muajve të fundit, kishte paralajmëruar gratë shtatzëna të shmangnin paracetamolin, duke përhapur idenë e një lidhjeje të mundshme me autizmin. Por komuniteti shkencor reagoi menjëherë, duke theksuar se konsensusi mjekësor nuk e mbështet këtë teori, përkundrazi, e konsideron paracetamolin si analgjezikun më të sigurt për shtatzënat, krahasuar me aspirinë apo ibuprofenin, të cilat janë të lidhura me rreziqe për fetusin.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)përsëriti qëndrimin e saj zyrtar se nuk ka prova që lidhin paracetamolin me autizmin.
Publikimi në BMJ e përforcon këtë qëndrim, duke ofruar një “rishikim ombrellë”, një përmbledhje të plotë të studimeve ekzistuese mbi çështjen.
Autorët kujtojnë se disa kërkime të mëparshme kanë sugjeruar një lidhje të mundshme mes paracetamolit dhe çrregullimeve të zhvillimit, por cilësia e këtyre studimeve është vlerësuar si “e ulët” ose “shumë e ulët”, pasi nuk kanë marrë në konsideratë faktorë të tjerë ndikues, si predispozitat gjenetike apo problemet shëndetësore të nënës.
Një nga studimet më të përmendura nga administrata Trump, i botuar në revistën Environmental Health në vitin 2025, u kritikua pikërisht për mungesë provash të forta. Ai sugjeronte një lidhje të mundshme midis përdorimit të acetaminofenit dhe autizmit, por nuk arriti ta vërtetonte shkencërisht.
Ndërkohë, si Trump ashtu edhe Sekretari i Shëndetësisë Robert Kennedy Jr. janë akuzuar shpesh për përhapje të deklaratave të pabazuara lidhur me autizmin, duke pretenduar për një “epidemi” në SHBA dhe duke e lidhur atë padrejtësisht me disa vaksina të fëmijërisë.

