Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha një fletëthirrje për t’u paraqitur të premten në orën 10:00 në lidhje me hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011. Berisha do të pyetet si person që ka dijeni për ngjarjen, ndërsa hetimet po zhvillohen pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i kaloi çështjen në kompetencë të SPAK.

Ngjarja e 21 janarit mbetet një nga momentet më të errëta të tranzicionit politik shqiptar. Katër protestues, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, humbën jetën pas të shtënave me armë nga Garda e Republikës gjatë një proteste të organizuar nga opozita socialiste kundër qeverisë së atëhershme të Berishës. Edhe pse disa efektivë të Gardës u dënuan për neglizhencë, autorët e vrasjeve nuk janë identifikuar plotësisht deri më sot.

Hetimet janë rihapur pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2023, e cila konstatoi se hetimet e mëparshme ishin penguar nga qeveria e kohës dhe se ishin shkelur të drejtat e viktimave. Familjet e të vrarëve, veçanërisht ajo e Aleks Nikës, kanë paraqitur kallëzime të reja penale ndaj Berishës, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi, duke kërkuar drejtësi pas më shumë se një dekade pritjeje.

Kjo është fletëthirrja e dytë për Berishën, pasi ajo e parë, e datës 3 nëntor, ishte kthyer pa u hapur. SPAK ka nisur një thirrje të re më datë 7 nëntor, këtë herë jo vetëm në banesën e ish-kryeministrit, por edhe në adresat e tij në Kuvend dhe në selinë e Partisë Demokratike.

Burime nga Spak bëjnë me dije se Berisha pritet të merret në pyetje nga prokurori Alfred Shehu si person që mund të japë informacion të dobishëm për hetimin e vrasjeve të katër protestuesve.

SPAK ka nisur hetimet për tre vepra penale: vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, shpërdorim i detyrës dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, gjithashtu në bashkëpunim.

Ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha u mor në pyetje nga SPAK më 30 tetor, por nuk dha detaje për mediat. Tani mbetet të shihet nëse ai do të bashkëpunojë plotësisht me hetuesit për të zbardhur rolin e ish-drejtorëve të Gardës dhe të ish-qeverisë në ngjarjet tragjike të 21 janarit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *