Procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK-it po ndiqet nga afër nga partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk ka caktuar datën zyrtare të intervistave, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë kanë zhvilluar takime të veçanta me katër kandidatët për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Burime për Top Channel bëjnë të ditur se takimet janë zhvilluar ditët e fundit, në ambientet e SPAK-ut, ku kandidatët janë pyetur mbi vizionin e tyre për drejtimin e institucionit dhe prioritetet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Bisedat janë mbajtur veçmas me Klodian Brahon, Adnand Xholin, Doloreza Musabelliun dhe Elvin Gokajn. Sipas burimeve, përfaqësuesit e BE-së janë interesuar të kuptojnë qasjen e secilit kandidat ndaj çështjeve që konsiderohen kyçe në funksionimin e SPAK-ut, sidomos forcimi i pavarësisë së hetimeve dhe rritja e efikasitetit në çështjet me profil të lartë.
Pritet që në ditët në vijim KLP të vendosë kalendarin e intervistave dhe më pas të kalojë në votim për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.

