Policia greke dyshon se trupi i gjetur i vrarë me armë zjarri dhe më pas i djegur brenda një automjeti në zonën Skourta të Viotias, i përket 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, me origjinë nga Becishti i Tepelenës. Identifikimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe priten rezultatet e analizës së ADN-së.
Sipas mediave greke, Halili ishte shpallur i zhdukur që prej 4 nëntorit, pasi ishte larguar nga banesa ku jetonte në Halkida dhe nuk kishte dhënë më asnjë shenjë jete. Automjeti i tij u gjet i braktisur në zonën e Vilia-s, pranë Athinës.
Hetimet paraprake tregojnë se viktima është qëlluar me armë zjarri para se trupi të digjej. Ai është gjetur i prangosur në sediljen e pasme të një makine të vjedhur në Glifadha, ndërsa targat e saj rezultojnë të kenë qenë të falsifikuara dhe i përkisnin një mjeti të ngjashëm në Katerini.
Viktima përshkruhej si rreth 1.70 i gjatë, me trup të dobët, mjekër dhe një tatuazh në krahun e majtë me dy trëndafila, një yll dhe disa shkronja. Ditën e zhdukjes kishte veshur këmishë të zezë, pantallona xhins të zeza dhe atlete të bardha.
Autoritetet greke po hetojnë ngjarjen si ekzekutim të mundshëm, me pistën kryesore atë të një konflikti me prapavijë kriminale.

